Lajme

Thaçi deklarohet i pafajshëm, thotë se nuk e ka lexuar e as kuptuar aktakuzën e re

Hashim Thaçi

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është deklaruar i pafajshëm ndaj aktakuzës të zgjeruar nga Zyra e Prokurorisë Speciale.

Gjykatësi Nicolas Guillou, ka pyetur Thaçin nëse e ka pranuar aktakuzën e ndryshuar me akuzat e reja dhe të konfirmuar dhe nëse e i ka kuptuar akuzat e reja në aktakuzën e konfirmuar.

Ish-kreu i UÇK-së ka thënë se nuk e ka kuptuar aktakuzën e re. Kjo pasi, nuk ka mundur ta lexoj për shkak të redakturave të shumta.

“Nuk i kam kuptuar për arsye se s’kam pasur mundësi t’i lexoj sepse kanë qenë shumë të redaktuara. Deklarohem i pafajshëm edhe pse ende nuk e kam lexuar dhe nuk e kam kuptuar”, ka thënë Thaçi.

Theksojmë se në Hagë ka nisur konferenca e radhës për ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas zgjerimit të aktakuzës nga Zyra e Prokurorisë Speciale.

Seanca ka filluar me prezantimin e palës mbrojtëse, si dhe përfaqësuesve të Prokurorisë dhe Gjykatës.

Më vonë, në orare të ndara do të paraqiten edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit.

Prokuroria pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Seminishtë./Shqip.com