81 OJQ nga vendi i drejtohen Macronit përmes një letre për liberalizimin e vizave

81 organizata të shoqërisë civile kosovare i janë drejtuar përmes një shkrese presidentit të Francës, me kërkesë për të ushtruar ndikim për liberalizimin e vizave.
Kjo shkresë ka ardhur pas marrjes së mandatit të dytë nga Emmanuel Macron, në krye të Presidencës dhe para Konferencës së Parisit për Ballkanin Perëndimor që pritet të mbahet në qershor.
“Ne i bëjmë thirrje Presidencës Franceze të Këshillit të BE-së të përforcojë ndikimin afatgjatë të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Sharl de Gol ka thënë: “Franca nuk mund të jetë Francë pa madhështi”. Nuk ka pasur ndonjëherë kohë më të përshtatshme për ta treguar këtë madhështi. Prandaj, i bëjmë thirrje Francës që ta çojë zgjerimin evropian në një epokë të re, duke i dhënë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës dhe duke hapur bisedimet e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne presim me padurim Konferencën e Parisit për Ballkanin Perëndimor i cili mbahet në qershor dhe shpresojmë se i njëjti mund të jetë moment ringjallje për perspektivën e rajonit drejt BE-së”, thuhet në shkresë.
OJQ-të kanë shprehur shqetësimin se duke hyrë në vitin e 10-të të dialogut për liberalizim, procesi po zgjatë më gjatë se sa për të gjitha vendet e tjera.
“Dialogu për liberalizimin e vizave për Kosovën ka hyrë në vitin e 10-të të tij. Si i tillë, ky proces ka zgjatur më shumë sesa procesi i liberalizimit të vizave i TË GJITHA vendeve të Ballkanit Perëndimor së bashku, shumëzuar me dy. Ose për ta thënë ndryshe, i gjithë procesi i aderimit për Kroacinë, që nga statusi i kandidatit e deri tek anëtarësimi i plotë, zgjati më pak sesa procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën”, thuhet në shkresë.
Letra i është drejtuar Macron pikërisht me 9 maj në Ditën e Evropës.
Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave dhe kjo është konfirmuar nga Komisioni Evropian.
Madje, ky Komision gjatë seancave plenare ka drejtuar kritika ndaj Bashkimit Evropian për mospërmbushje të premtimeve ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kjo është LETRA drejtuar presidentit të Francës Emmanuel Macron. /Shqip.com