Mehaj takon Lambrecht, flasin për angazhimin e FSK-së në misione ndërkombëtare

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim ministren e Mbrojtjes të Gjermanisë, Christine Lambrecht.
Temë diskutimi ishte situata e sigurisë në Kosovë si dhe zhvillimet aktuale të sigurisë në regjion dhe më gjerë, të reflektuara nga agresioni ushtarak i Rusisë mbi Ukrainën.
Mehaj falënderoi ministren Lambrecht për kontributin e dhënë për ofrimin e sigurisë nga trupat gjermane, që janë pjesë e KFOR-it.
Më tej, në këtë takim u bisedua për raportet e mira në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, ku një kontribut të madh në përafrimin e dy vendeve ka dhënë diaspora kosovare në Gjermani, e integruar mirë, ku numri i tyre është rreth 400 mijë.

Mehaj theksoi se që të dy vendet gjithashtu ndajnë vlerat e përbashkëta në qeverisjen demokratike dhe kërkoi përkrahjen e shtetit gjerman për anëtarësimin sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës në NATO.
Ai gjithashtu ka kërkuar nga Lambrecht mundësinë e bashkë-zbarkimit të trupave të FSK-së në misione ndërkombëtare, ku trupat gjermane janë të angazhuara.
Ndërsa, Lambrecht theksoi se sikurse deri më tani, shteti gjerman do të vazhdojë të ofrojë përkrahje për Republikën e Kosovës.
Ajo theksoi se Kosova dhe Gjermania janë partnerë të besueshëm dhe të sinqertë më njëri-tjetrin.
Në këtë takim u përmend mundësia e ripërtëritjes së Marrëveshjes së Mirëkuptimit në mes të dy vendeve si dhe nënshkrimin e Marrëveshjes SOFA./Shqip.com