Valon Totaj zgjedhet në krye të Gjykatës së Apelit

Valon Totaj është zgjedhur në krye të Gjykatës së Apelit
Kjo është bërë e ditur pas takimit të 286 të mbajtur nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Për Totaj në krye të Gjykatës së Apelit votuan gjashtë anëtarët e Këshillit.
Totaj pritet që të udhëheqë Gjykatën e Apelit për pesë vitet e ardhshme.
Në garë për këtë pozitë ishin edhe kandidatët Bashkim Hyseni, Zyhdi Haziri, Nehat Idrizi dhe Hashim Qollaku, mirëpo të njëjtit nuk arritën të marrin votat e mjaftueshme në Këshill për t’u zgjedhur në këtë pozitë.
Gjyqtarët Hyseni, Qollaku dhe Idrizi morën nga një votë nga anëtarët e Këshillit.
Kandidat për kryetar të Gjykatës së Apelit ka qenë edhe gjyqtari Kreshnik Radoniqi, tani edhe kryesues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), mirëpo i njëjti është tërhequr nga kjo garë, pasi Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) për të njëjtin ka konstatuar se zgjedhja eventuale e tij në pozitën e kryetarit të Apelit duke qenë edhe kryesues i KQZ-së, përbën konflikt të interesit.
Kujtojmë se KGJK më 28 qershor 2021 kishte shpallur konkursin për pozitën e kryetarit të Gjykatës së Apelit./Shqip.com