Lajme

Nis seanca ndaj Pal Lekaj për 53 milionëshin

Pal Lekaj.

Ka nisur gjykimi ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt, për rastin e 53 milionë eurove shtesë në emër të vonesave për konserciumin “Bechtel-Enka”, që ka ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.

Në fillim të shkurtit, Prokuroria Speciale pati ngritur aktakuzë ndaj Lekajt dhe ish-këshilltarit të tij, Eset Berisha.

Në rastin e njohur si “53 milionët”, Lekaj akuzohet se ka fshehur raportin e kompanisë “Hill, e që kishte arsyetuar se borxhi prej 53 milionë eurosh ishte joreal dhe se Qeveria do të duhej të paguante 39 milionë euro më pak sesa i kërkoheshin.

Autostrada “Arbën Xhaferi”

Theksojmë se Qeveria e Kosovës kishte themeluar komitet ndërministror për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Anëtarët e këtij komiteti nuk ishin në dijeni të këtij raporti e asokohe Ministria e Infrastrukturës pati reaguar kundër raportimit duke e mohuar ekzistencën e raportit.

Ky raport nuk kishte shkuar zyrtarisht në Qeveri, por ishte ndalur në Ministrinë e Infrastrukturës e në mungesë të tij ishte aprovuar pagesa prej 53 milionë eurosh./Shqip.com