Sport Ndërkombëtar

Rangnick emërohet trajner i Austrisë

Ralf Rangnick

Ralf Rangnick është emëruar si trajner i ri i kombëtares së Austrisë në futboll.

Megjithatë, ai do ta kombinojë këtë rol me detyrat si konsulent në Manchester United sapo të përfundojë koha e tij si trajner i përkohshëm i “Djajve të Kuq”.

Lajmin e ka bërë të ditur Asociacioni i Futbollit të Austrisë përmes një postimi në Twitter.

“Të gjithë jemi të bindur se ai është njeriu ideal dhe se vizioni i tij do të avancojë kombëtaren dhe OFB-në”, u shpreh Gerhard Milletich, president i Federatës Austriake të Futbollit.

Edhe vetë trajneri kishte komentuar rreth lajmit, pas ndeshjes së Unitedit kundër Chelseas që përfundoi me rezultat 1:1.

Ralf Rangnick në konferencë për media

“Është një nder për mua të marr rolin e menaxherit të [Austrisë]. Perspektiva për të garuar në Kampionatin Evropian në Gjermani me një ekip të ri të etur për sukses më mbush me një pritje të madhe.”, tha Rangnick.

Pas emërimit të Erik ten Hagut si kryeshefi i stolit në “Teatrin e Ëndrrave”, 63 vjeçari do të mbetet në klub vetëm deri në fund të këtij sezoni.

Trajneri gjerman mori frenat në Old Trafford në nëntor 2021 pas shkarkimit të Ole Gunnar Solskjaer dhe një mandati të shkurtër në detyrë nga Michael Carrick. /Shqip.com