Qalaj: Nuk jam pishman që kam urdhëruar ndërhyrjen e FIT-it në Vetëvendosje

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj ka thënë se ka urdhëruar ndërhyrjen e njësisë FIT të policisë në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje në kohën kur ka qenë drejtor i Përgjithshëm i PK-së.
Për një gjë të tillë, Qalaj në seancën e sotme plenare tha se nuk është pishman dhe se ka vepruar ligjshëm.
“Jam shumë krenar që kam zbatuar urdhrat e ligjshëm të drejtësisë së Kosovës. Po, është e vërtetë se unë kam urdhëruar, nuk jam pishman asnjë sekondë të vetëm. Do të veproja edhe unë sot njëjtë, pa asnjë dyshim. Tjetra, jam krenar që jam edhe anëtar i PDK-së”, tha ai.
Për këtë çështje, reagim të menjëhershëm ka marrë nga deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi.
Abrashi tha se Qalaj është “dëshmia për kapjen e shtetit nga PDK-ja”.
“Ai që dikur ishte drejtor i operacioneve të përgjithshme të Policisë së Kosovës, urdhërdhënësi i ndërhyrjes në një parti politike të njësisë antiterror, FIT, dy javë pas përfundimit të misionit të tij në polici përfundon në listat zgjedhore të PDK-së dhe zgjidhet deputet. Nuk na duhet asnjë raport ndërkombëtar se shteti i Kosovës është i kapur”, tha ai.
Në Kuvendin e Kosovës po vazhdojnë përplasjet pozitë-opozitë për komisionin hetimor parlamentar për krizën energjetike.
Pozita ka propozuar që të ketë komision hetimor parlamentar për energjinë për priudhën 2006-2022. Ndërsa, opozita ka kërkuar komisionn hetimor që nga shpallja e gjendjes emergjente e energjisë 29 dhjetor 2021 deri në prill 2022./Shqip.com