Lajme Drejtori menaxhues i Trust, duhet të punoj edhe pak vjet dhe ta kap 1 milionëshin e pagës të marrë nga shteti

Kush janë zyrtarët publik me paga stratosferike?

Ilustrim

Pagë super të madhe merr edhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës.

Fehmi Mehmeti, guvernatori aktual i BQK-së, brenda vitit paguhet 52 mijë e 514 euro e 61 cent. Pas përfundimit të mandatit, Mehmeti me pagat që kursen, mund të grumbullojë kapital mjaftueshëm sa t’iu jap kredi të but bujqve.

Keq nuk qëndron me të ardhura as zëvendësi i Mehmetit, Sokol Havolli. 38 mijë e 438 euro është paga vjetore e Havollit në BQK.

Dikush që po ashtu ka pare si zalli në Kosovë e që paguhet nga taksat e qytetarëve, është Ardian Zalli, drejtor menaxhues Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Zalli për shembull në vitin 2015 kishte pagën vjetore 62 mijë e 567 euro, që realisht thyen të gjitha rekordet e pagave në Kosovë, por atij të ardhurat iu zvogëluan së fundmi, duke u paguar 48 mijë e 349 euro në vit.

Nëse llogarisim nga viti 2007, kur edhe mban këtë pozitë Zalli, fitimet e tij janë marramendëse.

Zallit i duhen edhe pak vite të shërbejë në Trustin e Kursimeve Pensionale dhe ta kap 1 milionëshin me paga.

Tash e gati 15 vite, Zalli paga nga Trusti ka marrë mbi 700 mijë euro, me një përllogaritje mesatare të pagave të tij vjetore.

Mirë paguhen edhe drejtuesit e Gjykatës Kushtetuese në Kosovë.

Arta Rama, ish kryetare e Gjykatës Kushtetuese, pagën vjetore e kishte 42 mijë e 908 euro. Njëjtë paguhet edhe kryetarja e tanishme, Gresa Cakaj-Nimani.

Rrogë të majme marrin edhe udhëheqësit e Zyrës Kombëtare të Auditorit. Besnik Osmani, ish-auditori i përgjithshëm paguhej nga buxheti i shtetit  41 mijë e 179 euro në vit. 

Edhe i pari i akuzës, kryeprokurori Aleksander Lumezi, ka një super pagë vjetore prej 38 mijë e 864 euro. 

Bujar Ejupi, drejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil, 2 mijë e 663 euro në muajt, 31 mijë e 956 euro.  Dhe Xhelil Bekteshi, zëvendësdrejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil, 28 mijë e 943 euro paga vjetore.

Përditësuar: 02.06.2022, 09:46
Sqarim:Nga ky artikull është larguar paga e Avokatit të Popullit, Naim Qalaj, pas një gabimi të lëshuar pa dashje nga Shqip.com. Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë kundër Korrupsionit, i njëjti ka deklaruar pagën e marrë në tre muajt e fundit si pagë vjetore. Andaj, duke marrë shkas shabllonet e zyrtarëve të tjerë shtetërore, pagesës së tij të marrë në tre muajt e fundit, i jemi referuar si pagë mujore. /Shqip.com