Lajme

Haradinaj për raportin e Freedom House: Kam punuar për sundimin e ligjit dhe demokracinë

Ramush Haradinaj - Kryetar i AAK-së

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka reaguar pas publikimit të raportit nga Freedom House.

Në raport shkruhet se Haradinaj është i përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar.

Në reagim, Haradinaj thotë se ka “punuar për sundimin e ligjit dhe demokracinë”.

“Dua të ju siguroj se edhe si Kryeministër por edhe tash, kam punuar dhe vazhdoj të punoj për sundimin e ligjit dhe demokracinë”, ka shkruar Haradinaj në një postim në Facebook.

Tutje, ish-kryeministri tha se do të vazhdojë t’i bëj opozitë Qeverisë së tanishme.

“Gjithashtu, do të jem në krye të detyrës, që kësaj Qeverie t’i bëjë opozitë duke i treguar popullit për gabimet e saj në qeverisje”, ka shkruar Haradinaj.

Në raportin e Freedom House për vitin 2021, Hashim Thaqi dhe Ramush Haradinaj po cilësohen si dy figura politike që janë lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Figura të mëdha politike në Kosovë, përfshirë ish-presidentin Thaçi dhe ish-kryeministrin Haradinaj, kanë lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë, të cilët luajnë rol të fuqishëm në politikë dhe kanë ndikuar në instalimin e liderëve kyç”, thuhet në raportin e Freedom House.

“Freedom House” vlerëson se korrupsioni dhe klientelizmi shpesh bëjnë presion mbi votuesit gjatë zgjedhjeve. Duke theksuar se biznesmenët e fuqishëm në Kosovë mund të ndikojnë në zgjedhjet politike të punonjësve të tyre.

Gjithashtu në raportin e Freedom House përshkruhet se si Serbia vazhdon të ushtrojë ndikim në Listën Serbe si dhe në zgjedhjet politike të serbëve në përgjithësi./Shqip.com