Lajme

Rama: Askënd “me zor” nuk e përfshijmë në “Ballkanin e Hapur”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nuk e përfshijnë askënd “me zor” për t’u bërë pjesë e “Ballkani i Hapur”.

Kosova po refuzon që të jetë pjesë e iniciativës “Ballkani i Hapur”, ku pos Shqipërisë bëjnë pjesë edhe Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Rama përmes një postimi në Twitter, ka shtuar se edhe Qeveria e Gjermanisë është në mbështetje të integrimeve rajonale.

“”ÇUDI”! Qeveria gjermane e mbështeska Open Balkan ndryshe nga çfarë u thuhet njerëzve në Prishtinë e Tiranë prej atyre që s’pyesin për Amerikën dhe jo vetëm kaq, po kërkon nënshkrimin urgjent të marrëveshjeve për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor“, ka thënë Rama.

Ai citoi atë që e ka thënë Qeveria e Gjermanisë. Sipas kryeministrit shqiptar kjo është „rruga e së ardhmes“.

”Open Balkan thotë qeveria gjermane duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe po, patjetër, kështu duhet të jetë e ndaj dera është e hapur, por as nuk përfshijmë dot kënd me zor, as nuk rrimë dot të presim sa t’u mbushet mendja atyre që s’duan të kuptojnë se kjo është rruga e të ardhmes“.

Minishengenit iu ndryshua emri në ”Ballkani i Hapur“, dhe kjo u bë me aprovimin e tre liderëve të shteteve anëtare; Edi Ramës, Aleksandër Vuçiq dhe Zoran Zaev.

Në Prishtinë e Tiranë, ka pasur kritika për Ramën, duke i thënë se ”me këtë po e faktorizon Serbinë“.

Njëri nga kritikuesit është edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili mendon se bashkëpunimi rajonal duhet të fillojë ndërmjet Kosovës e Shqipërisë. /Shqip.com