Nuk formohet Komisioni Hetimor për energjinë, opozita lëshon sallën

Partitë opozitare kanë lëshuar seancën e Kuvendit për shkak se nuk është votuar për ta futur Komisionin Hetimor në rend të ditës.
Vetëm 33 deputetë kanë votuar pro mocionit për futjen në rend të ditës të formimit të Komisionit Hetimor parlamentar të propozuar nga PDK-ja për energjinë.
Nga 108 deputetë të pranishëm, 72 vota janë nevojitur që mocioni të kalojë.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se nuk do të votojnë e as nuk do të marrin pjesë në seancë.

“Siç e thashë edhe më herët nuk do të marrim pjesë në votimet e mëtutjeshme. Nuk do të marrim pjesë as në seancë më tutje sepse nuk ka kurrfarë pakuptime, përderisa ju abuzoni me një të drejtë tonë parlamentare nuk ka asnjë kuptim qëndrimi ynë në seancë”, tha Tahiri.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës e ka lëshuar sallën e Kuvendit pas PDK-së.

Kryetari i Grupit Parlamentar të kësaj partie Arben Gashi, ka thënë se s’do të marrin pjesë në seanca derisa të formohet ky komision.
“Meqenëse se opozitës i është mohuar një e drejtë kushtetuese që është mbikëqyrja parlamentare e punës së institucioneve, Grupi Parlamentar i LDK-së deri në formimin e Komisionit Hetimor nuk do të marrë pjesë. Dhe për këtë ne lëshojmë seancën”, tha Gashi.
Poashtu, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës iu bashkua partive të tjera opozitare.

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri tha se “është gabim i pafalshëm mosvotimi i Komisionit Hetimor.
“Mendoj që është një gabimi pafalshëm mosvotimi i këtij Komisioni Hetimor. Ne jemi të detyruar ta lëshojmë sallën, të mos marrim pjesë në votim dhe ta bojkotojmë një proces i cili realisht nuk është asgjë tjetër, një Komision Hetimor, një e drejtë legjitime, kushtetuese e kërkuar nga iniciuesi që u bllokua pa kurrfarë nevoje”, ka thënë Tahiri.
Theksojmë me 23 vota për dhe 50 kundër, Kuvendi i Kosovës në seancën e 28 marsit nuk e miratoi themelimin e komisionit për hetimin e situatës me energji elektrike nga Qeveria e Kosovës
Në shenjë revolte, deputetët e opozitës PDK, LDK, AAK kishin lëshuar seancën.
Ky komisionin ishte paraparë të ketë mandat gjashtëmujor./Shqip.com