Në Qendrën Korrektuese në Lipjan mungon trajtimi i veçantë për personat e varur nga lëndët narkotike
Zyrtarja për Punë Sociale në Qendrën Korrektuese në Lipjan, Flakë Ymeri, ka thënë se në këtë qendër nuk ka ndonjë program të veçantë për trajtimin e personave që kanë varësi të narkotikëve.
Ymeri ka treguar se çfarë shërbimesh ofrojnë për të miturit e që kryesisht lidhet me risocializimin e tyre.
“Këtë më shumë e përcjellim në aspektin shëndetësor. Këtu hyn Drejtoria e Shëndetësisë për burgje dhe ambulant të cilën e kemi këtu. Sigurisht që një program të tillë për trajtimin duhet ta kishte Drejtoria për Shëndetësi e burgjeve, mirëpo në kemi programe të tjera risocializuese, siç e kemi programin “Tops” dhe trajnimet profesionale, bisedat me ta të ndryshme, aktivitete të cilat i bëjmë në një kënd, i cili është krijuar nga vetë të miturit që ata kanë mundësi edhe të lexojnë, edhe të pikturojnë, apo ndonjë aktivitet sipas hobeve të tyre, ku kanë mundësi ata të shprehin talentin dhe ta kalojnë atë krizën të cilën gjenden nga substancat narkotike”, ka thënë ajo.

Ymeri ka shtuar se personalisht është duke punuar në hartimin e një draft-projekti ku do kenë mundësi t’i shkëmbejnë programet me vendet e rajonit.
“Po besoj që shumë shpejt na do ta finalizojmë atë projekt së bashku me drejtorinë qendrore dhe me menaxheret këtu në Qendrën Korrektuese për të mitur dhe do të bëjmë ndonjë shkëmbim të programeve, të cilat vendet e rajonit kanë mungesë, dhe ne të marrim në përdorim programet e tyre të cilat i kanë për narkotikë”, tha ajo në emisionin “De Jure” në Tëvë1.