Lajme

Kurti mirëpret gazetaren e parë ukrainase në Kosovë: Solidariteti ynë me popullin tuaj është i padiskutueshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe gazeetarja e parë nga Ukraina e strehuar në Kosovë, Lyudmila Makey

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka uruar mirëseardhje në Kosovë, Lyudmila Makey, gazetarja e parë ukrainase e strehuar në Kosovë, pasi është detyruar të largohet nga Ukraina pas invazionit rus.

Kurti ka dënuar fuqishëm agresionin ushtarak të Federatës Ruse dhe invazionin në Ukrainë.

“Solidariteti ynë me popullin tuaj dhe luftën çlirimtare kundër agresionit ushtarak rus janë të padiskutueshme”, tha ai.

Kurti ka theksuar se Kosovës u është bashkuar vendeve të tjera perëndimore në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe është e përkushtuar të punojë së bashku me aleatët për të kontribuar për paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë globale.

Kryeministri, Albin Kurti i dhuron lule gazetares ukrainase, Lyudmila Makey

Ai falënderoi Qendrën Evropiane për Liri të Shtypit dhe Mediave (ECPMF), Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ) dhe Asociacionin e Gazetarëve në Kosovë (AGK) për bashkëpunimin në programin Gazetarët në Rezidencë (Journalists in Residence) në Kosovë.

Nga ana tjetër edhe gazetarja, Makey është shprehur sinqerisht mirënjohëse ndaj Qendrës Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës, Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për mundësinë e strehimit.

“Fatkeqësisht, është e rrezikshme të jesh gazetar në Ukrainë sot. Okupatorët rusë rrëmbejnë, kërcënojnë dhe vrasin gazetarë. Së fundmi, Unioni Kombëtar i Gazetarëve të Ukrainës publikoi një listë të gazetarëve të vdekur. Ajo përmban më shumë se 20 emra të kolegëve të mi. Ata të gjithë thanë të vërtetën për këtë luftë të përgjakshme”, shtoi zonja Makey.

Ajo theksoi se është e impresionuar nga dëshira e kosovarëve për të mbështetur kolegët ukrainasë.

“Jam e prekur deri në lotë se si njerëz plotësisht të huaj duan të ndihmojnë ukrainasit”, tha ajo, duke shtuar se beson se ky bashkëpunim dhe solidaritet me gazetarët është një hap i rëndësishëm drejt paqes.

Makey është e para në mesin e 20 gazetarëve ukrainase që Kosova do të pres në kuadër të programit Gazetarët në Rezidencë Kosova.

Gazetarja e parë nga Ukraina në Kosovë, Lyudmila Makey

Programi i financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës mbulon kostot e jetesës, pagat dhe zyrat për një periudhë deri në gjashtë muaj, për t’u mundësuar gazetarëve ukrainase të punojnë nga distanca. Aplikimet për programin Journalists-in-Residence Kosova janë ende të hapura.

Në takimin e sotëm ajo u prit edhe nga Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme, Flutura Kusari, ECPMF dhe Xhemajl Rexha, AGK./Shqip.com