Lajme

Ministria e Drejtësisë: Prokuroria Speciale po del me vrap për të propaganduar njëanshëm për Astrit Deharin

Ministria e Drejtësisë
Ministria e Drejtësisë

Ministria e Drejtësisë ka thënë se Prokuroria Speciale e Kosovës ka dal me vrap për të propaganduar njëanshëm rezultatin e raportit të institutit zviceran për rastin e Astrit Deharit.

‘’ Pas më shumë se 5 vitesh, kur ky rast po vazhdon të hetohet, veçmas pas ekspertizës plotësuese të Institutit zviceran, Prokuroria Speciale e Kosovës, sërish me vrap del për të propaganduar njëanshëm rezultatin e këtij raporti, përmes një komunikate, që dëshmon për mangësi të theksuar intelektuale, mungesë totale të njohurive shkencore, gjuhë krejtësisht jo profesionale edhe qëllim dashakeq. Jemi të zhgënjyer me këtë qasje!’’ thuhet në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Po ashtu, kjo ministri thotë se drejtësia për Astrit Deharin është sprova ku sfidohet sistemi i drejtësisë.

‘’Drejtësia për Astrit Deharin, është sprova ku sfidohet sistemi i drejtësisë. Thirrjet qytetare “Drejtësi për Astritin”!,  janë thirrje për triumf të drejtësisë. Drejtësia duhet të jetë e plotë, assesi e mangët. E qartë, assesi konfuze. E saktë, në hetimet e plota që duhet të kryhen dhe me ekspertizë shkencore’’.

Ministria thotë së kjo nuk i kontribuon askujt.

‘’Kujt i kontribuon një manipulim i tillë, ku publikohen konkludime të pjesshme? Si munden organet e drejtësisë të jenë kaq tendencioze dhe selektive, veçmas një organ siç është prokuroria, e cila nuk guxon t’i shpërfillë asnjë nga hetimet që bëhen për asnjë rast të caktuar’’ thuhet më tutje në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë e ka bërë sërish të qartë, që në mandatin e saj, përbrenda kompetencave që ka do të ndërmarrë çdo hap, çdo veprim për të forcuar në njërën anë sistemin e drejtësisë dhe do t’i përgjigjet secilës kërkesë për drejtësinë e plotë për Astrit Deharin./Shqip.com