Kulturë

Filarmonia e Kosovës pa sallë koncertale, vazhdon të shfrytëzojë objekte alternative

Institucionit më të lartë të muzikës, nuk i është bërë vendi sot e 22 vjet.

Filarmonia e Kosovës, vazhdon të “trokasë” derë më derë, për të gjetur një vend që t’i kryejë provat e koncertet.

Drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, thotë se kushtet në të cilat Filarmonia po punon janë të mjerueshme.

“Ne jemi ende të detyruar t’i mbajmë koncertet edhe nëpër objekte kishtare si kisha Shën Ndou, pastaj salla e kuqe në të cilën ne po detyrohemi me i realizu koncertet tona është hapësirë e pa mjaftueshme si për akomodimin e filarmonisë ashtu edhe për numrin e vogël të publikut”, ka thënë Jashari për Shqip.com.

Kjo sipas Jasharit, pengon realizmin e objektivave.

“Në objektin e vjetruar të Pallatit të Rinisë, nuk mund t’i realizojmë objektivat ashtu siç i kanë vendet në Shqipëri, Maqedoni e në Evropë. as që diskutohet që një institucion më i larti i muzikës artistike mos me pas objekt të vetin fillimisht e pastaj mos me pas edhe sallën koncertale’, shtoi tutje ai.

Filarmonia, gjithashtu duhet të paguajë për hapësirat të cilat i shfrytëzon.

“Ne paguajmë rregullisht, na kushtojnë me mijëra euro, një ditë kushton gati 400 euro në sallë të kuqe, po ashtu edhe kishës duhet për shkak të shpenzimeve si rryma, ngrohja, infrastruktura brenda, pastrimi e më radhë”, tha Jashari.

Problematike për të është edhe kur vijnë dirigjentë të huaj, e që nuk ua plotësojnë dot kushtet.

“Së pari kur të vjen një dirigjent ndërkombëtar në sallë të kuqe pyetjen e parë e bënë “Where is my room?” (Ku është dhoma ime?), kjo është pyetje rutinore për ta sepse kanë me u përgatit, qoftë për veshjen ashtu edhe psiqikisht para koncertit”, tha ai.

Tutje, ai tha se ata shpesh edhe detyrohen që të vijnë më rroba të koncertit, për shkak mungesës së dhomave.

“Ne nuk vuajmë nga mungesa e publikut por vuajmë nga mungesa e sallës koncertale”

Shpesh herë në koncertet e Filarmonisë, numri i pjesëmarrësve është i limituar për shkak të mungesës së karrigeve për publikun e gjerë.

Jashari thotë se gjatë kohës kur kanë zhvilluar koncerte të hapura në sheshet e Prishtinës, numri i pjesëmarrësve ka qenë diku 2500-3000.

Ndërsa, sipas tij, kjo pjesëmarrje është e pamundur të arrihet në sallat aktuale të Filarmonisë.

“Në sallë të kuqe janë 400 karrige me gjithë instrumentistët, nuk mundesh ma shumë se 300 njerëz me i futë brenda”, është shprehur ai.

Plani i Ministrisë, për një zgjedhje të mundshme

Drejtori i Filarmonisë, qasjen e Ministrisë së Kulturës, e ka cilësuar si jo prioritet ndaj kulturës.

“Unë nuk e di edhe sa vite duhet të pritet që kjo të realizohet, ka pasur tentativa te ndryshme gjatë viteve të kaluara, projekte dhe janë shpenzuar miliona euro, por realiteti sot është që në vitin 2022, ne jemi ende pa sallë koncertale”, u shpreh ai.

Ministria e Kulturës, ka nënshkruar një kontratë me Pallatin e Rinisë, dhe me komunën e Prishtinës në Bashkëpunim.

Kontrata, parasheh zhvendosjen e filarmonisë në një artilerie më të madhe, që do t’i përmbush sa do pak nevojat e Filarmonisë./ Shqip.com