Ekonomi

Si t’i marrin 100 euro nga Qeveria punëtorët pa kontrata?


Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndarjen nga 100 euro për punëtorët e sektorit publik, privat, pensionistëve e studentëve, ka lenë anash punëtorët pa kontrata.

E tillë del të jetë edhe punëtorja e një lokali për parfume në Prishtinë.

Ajo për SHQIP.com ka thënë se po bëhen afër pesë vjet që punon pa kontratë dhe fatin e njëjtë e ndajnë edhe kolegët e saj.

“Nuk e di qysh me i marrë 100 euro. Katër vjet e gjysmë punojë pa kontratë pune. Edhe ma herët kam punuar pa kontratë në një butik në Prishtinë. Tash asnjë nga vajzat nuk kemi kontratë. Tash edhe ku punojë në një dyqan për parfume nuk kam kontratë”.

Ajo thotë se ka pranuar të punojë pa kontratë pasi ka nevojë për këtë punë.

Jusufi: Mbi 100 mijë punëtorë janë pa kontrata pune në sektorin privat

Numri i punëtorëve pa kontrata në sektorit privat llogaritet të jetë tejet i lartë.

Nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat, Jusuf Azemi, thotë se numri i tyre është mbi 100 mijë.

“Numri i këtyre punëtorëve sidomos në sezonin verorë që nga muaji mars deri në nëntor janë afro 100 mijë pa kontrata pune. Mirëpo, ky numër mund të jetë edhe më i madh, pasi shumë nga ta kanë frikë edhe të deklarohen”.

Për këtë arsye, Azemi tha se kanë propozuar që të stimulohet çdo qytetarë deri në moshën 45 vjeçare.

“Kjo është shumë e keqe nuk e di, nuk e di… Ne kemi propozuar një fond të veçantë ku çdo qytetar deri në moshën 45 vjeçare të stimulohet më këtë shumë pa marrë parasysh a ka kontrate a jo, por a do të aprovohet kjo nuk e di”.

Shqip.com ka kërkuar sqarime edhe nga Ministria e Financave, nëse kanë paraparë ndonjë zgjidhje për këtë kategori, por nuk janë përgjigjur.

Çka parasheh vendimi i Qeverisë?

Ndryshe,  kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se gjatë këtij muaji punëtorët e sektorit privat, publik, pensionistët dhe studentët do të marrin nga 100 euro shtesë.

Vlera totale e kësaj pakoje është mbi 100 milionë euro dhe sipas Kurtit, do të përfitojnë rreth 800 mijë qytetarë.

“Për muajin prill do ta dyfishojmë vlerën e asistencës. Pensionistëve do t’u ndahen nga 100 euro shtesë për muajin prill, dhe do të përfitojnë të gjithë ata që marrin pension. Për herë të parë, do të mbështesim me 100 euro të gjithë punëtorët e sektorët privat. Në kuadër të kësaj pako do të ndahen edhe nga 100 euro për mbi 80 mijë zyrtarë publikë Për herë të parë, do të mbështeten të gjithë studentët nga 100 euro. 80 mijë student do të përfitojnë nga kjo.”, ka deklaruar Kurti.

Nga ky përfitim do të përjashtohen të gjithë ata që janë në pozita drejtuese të niveleve qeverisëse, si dhe të gjithë ata që kanë paga mbi 1,000 euro./SHQIP.com