Trajneri i Benficës: Shpresoj që shitja e Nunez të jetë e ngjashme me atë të Joao Felix

Darwin Nunez është objektiv i shumë skuadrave të mëdha evropiane.
Sulmuesi i Benficës ka shënuar 24 gola, në 24 ndeshje të zhvilluara në elitën e futbollit portugez dhe shumë ekipe u janë vënë pas.
Teksa, trajneri i ri i kësaj skuadre, Nelson Verissimo – shpreson që shitja e tij – të jetë e ngjashme me atë të Joao Felix (126 milionë euro) – në aspektin financiar.

“Sa i përket shifrave, shpresoj si një tifoz i Benfica-s që ai të shkojë për numra afër atyre që ishin numrat e Joao Felix-it. Tani nuk më takon mua të fus numra në atë fushë”, tha ai.
Nelson po ashtu shtoi se “ai është një lojtar i ri me shumë potencial, është e natyrshme që duke pasur parasysh rritjen e tij gjatë këtij sezoni dhe gjithashtu shumë si rezultat i performancës që ka pasur në ndeshjet e Ligës së Kampionëve, është e natyrshme që ai të zgjojë interesin e klubeve të mëdha evropiane”.

Shitja e Felix nga Benfica mbetet transferimi i katërt më i shtrenjtë në historinë e futbollit.
Për shërbimet e Nunez – ndër skuadrat më të interesuar është Manchester United, por ende nuk ka pasur diçka zyrtare.
Kontrata e tij me Benficën – skadon në vitin 2025./Shqip.com