Bregdeti i Shëngjinit “mbulohet” nga pulat e ngordhura

Bregdeti i Ranës së hedhur në Shëngjin është mbuluar nga pulat e ngordhura.
Ende nuk dihet nëse shpendët janë hedhur në këtë zonë, apo janë sjellë nga dallgët e detit.
Siç raporton ABC news, deri tani në terren nuk është parë asnjë përfaqësues nga institucionet përgjegjëse për të verifikuar situatën.
Në Shqipëri gripi i shpendëve ka prekur shumë zona duke shkaktuar mijëra pula të ngordhura.
Sipas të dhënave zyrtare, deri tani në qarkun e Lezhës nuk ka asnjë rast me gripin e shpendëve.
Theksojmë se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka ndaluar importin e shpezëve të gjalla nga zonat e prekura me sëmundjen e gripit të shpezëve në Shqipëri.
Ky vendim, sipas AUV, është marrë duke u bazuar në raportin e OIE ( Organizata Ndërkombëtare për Epizooti ) për lajmërimin e paraqitjes se sëmundjes Gripi i Shpezëve-Avian Influenza tipi H5N8 në zonën e Durrësit në Shqipëri.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë sot me datë 21.03.2022 nxjerrë “Vendim’’ me nr.03/205/22, Për masat e ndalesës se importit të shpezëve të gjalla nga zona qe është konfirmuar prezenca e sëmundjes. Vendimi është nxjerrë bazuar në Ligjin Nr. 2004/21 për Veterinarinë dhe udhëzimin administrativ Nr. 2005/24 për Luftimin e Sëmundjes Zoonotike të Shpezëve” Gripi i Shpezëve””, thuhet në përgjigjen e Agjencisë.
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri, kishte bërë ndalimin e shitjes dhe transportit të shpendëve të gjalla në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla në qarqet e Durrësit, Dibrës dhe Korçës të cilat janë konfirmuar si vatra të sëmundjes së gripit të shpendëve./Shqip.com