Lajme

Vazhdon aksioni “Pika 2”, priten arrestime

Policia e Kosovës/Ilustrim

Aksioni ‘PIKA2” i cili heton zyrtarët policorë për ryshfet dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka vazhduar edhe sot nga Inspektorati Policorë në bashkëpunim më Prokurorinë Speciale.

Sipas njoftimit të IPK-së, thuhet se këtij aksioni i paraprinë një hetim një vjeçar i strukturave të sigurisë.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht punonjësit nga të gjitha Departamentet operative të saj në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale kanë filluar sot në orët e hershme të mëngjesit një operacion të gjerë në kuadër të autorizimeve dhe fushëveprimit ligjor të IPK-së.

Operacionit të sotshëm (i koduar me emrin “Pika 2”) i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftim.

Ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë dhe udhëheqjen nga Prokuroria Speciale të Republikës së Kosovës duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit.

“ Hetimi përfshin edhe bashkëpunim me prokurorë nga SPAK-u (Struktura e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e Republikës së Shqipërisë) dhe zyrtarët e AMP-së Agjencisë për Mbikëqyrje Policore (agjencia homologe e IPK-së në Shqipëri). IPK do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e veprimeve që kanë për qëllim fuqizimin e integritetit policor”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Inspektoratit.

Ndryshe javë më parë është zhvilluar aksioni “Pika 1”, ku janë arrestuar 48 policë dhe dy zyrtarë doganorë.

Të arrestuarit dyshohen për veprat penale “marrja e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ky operacion i IPK-së, sipas autoriteteve është përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës./SHQIP.com