Arrin në Prokurorinë Speciale ekspertiza shtesë për rastin e Astrit Deharit

Në Prokurorinë Speciale të Kosovës ka arritur ekspertiza shtesë në rastin e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.
Kështu ka njoftuar avokati Tomë Gashi, i cili është duke u marr me rastin.
Gashi ka thënë se janë të sigurt se ekspertiza shtesë do ta konfirmojë ekspertizën e shtatorit të vitit 2019.
“Ekspertiza e Institutit te Mjekësisë Ligjore te Lozanes në Zvicër e shtatorit te vitit 2019 ka eliminuar edhe hipotezën e vetëvrasjes se Astrit Deharit. Hipoteza e vetëvrasjes se z.Dehari Astrit me mjetet e paraqitura nga mjekët ligjor nuk duket e vërtete. Për këtë arsye rrethanat e vdekjes se z.Dehari Astrit janë, sipas mendimit tonë, të përfshira me një dyshim të intervenimit të personit të tretë në procesin fatal…”, thuhet në ekspertizën e vitit 2019, sipas Gashit.
Astrit Dehari ishte gjetur i vdekur në qendrën e paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2016 në rrethana që ende vazhdojnë të jenë të paqarta.

Bashkë me Astrit Deharin, ishin arrestuar katër aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti (disa prej tyre tashmë nuk i përkasin Lëvizjes Vetëvendosje).
Ata dyshoheshin për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që kishte ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit 2016.
Në shkurt të vitit 2017, familja Dehari vendosi që ekspertizën për këtë rast ta kryejë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze.
Kuvendi i Kosovës, kishte diskutuar për këtë rast duke e inkurajuar Prokurorinë që ekspertiza të dërgohej jashtë Kosovës.
Më 17 maj, 2017, ministri i atëhershëm i Drejtësisë, Abelard Tahiri kishte konfirmuar para Kuvendit se kjo lëndë do të dërgohej në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës./Shqip.com