Një vit si presidente, Osmani: Jam angazhuar që zëri ynë të dëgjohet edhe te vendet që nuk e kanë njohur Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një-vjetorin e marrjes së mandatit si e para e shtetit tha se është angazhuar që të dëgjohet zëri i Koosvës edhe në shtetet të cilat nuk e njohin pavarësinë e vendit.
“Jam angazhuar që zëri ynë të dëgjohet edhe te vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë tonë”, shprehet Osmani në një konferencë për media.
Ajo tha se në çdo takim ndërkombëtarë ka mbrojtur interesat e shtetit sovran.
Në një konferencë për medie, Osmani u shpreh se është përpjekur në përmirësimin e imazhit ndërkombëtarë të vendit.
“Përgjatë këtij viti kam përfaqësuar vendin brenda dhe jashtë dhe gjithnjë kam pas fokus interesin shoqërorë dhe të republikës që e përfaqësoj. Si udhëheqëse e politikës kam zhvilluar vizita zyrtare e takime bilaterale. Gjatë këtyre takimeve kam takuar dhjetëra krerë shtetesh e zyrtarë të tjerë institucional. Jam përpjekur maksimalisht në përmirësimin e imazhit ndërkombëtarë të vendit, të punojë për forcim të mëtutjeshëm të subjektivitetit ndërkombëtarë. Politika jonë e jashtme mbetet reflektim i asaj që sa jemi shtet i pavarur përbrenda, prandaj kam mbrojtur në çdo takim interesat e shtetit sovran të Kosovës”, tha Osmani.
Ndër tjerash, ajo tha se detyrën e Presidentes e mori si rezultat i besimit të qytetarëve dhe vizionit të përbashkët për një të ardhme më të mirë.
Ajo ka thënë se po punojnë vazhdimisht për avancimin e rrugës drejt integrimit euro-atlantik.
“Shteti i së drejtës është përkushtimi im i vazhdueshëm me qëllim që ta rrënjosim atë në të gjithë vendin. Në këtë frymë kamë punuar secilën herë kur kam marrë një vendim , kur kam bërë një emërim dhe kjo ka jehuar në çdo deklarim e takim timin”, ka thënë Osmani.
Kurse, si udhëheqëse e politikës e jashtme Osmani shprehet se “ka punuar për të siguruar që të përfaqësohemi me dinjitet dhe krenari në çdo cep të botës”./Shqip.com