Lajme

Osmani dhe Konjufca nderojnë viktimat e masakrës së Lybeniqit

Vjosa Osmani & Glauk Konjufca & Armend Mehaj & Gazmend Muhagjeri

Krerët e Shtetit të Kosovës kanë nderuar viktimat e agresionit serb në Lybeniq të Pejës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e shoqëruar nga Kreytari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj kanë bërë homazhe.

Gjatë kësaj vizite, Osmani ka thënë se pa sakrificën e tyre, Kosova nuk do të mund të gëzonte lirinë e saj.

“Këtyre njerëzve që kanë dhënë gjithçka deri në më të shtrenjtën e tyre, pra, jetën e tyre u kemi borxh gjithçka sepse asnjëherë ne nuk do të mund ta shijonim lirinë, asnjëherë nuk do të mund ta arrinim pavarësinë në qoftë se ata nuk do ta jepnin jetën për të”, tha Osmani.

Vjosa Osmani, Glauk Konjufca dhe Gazmend Muhagjeri

Nga ana tjetër, Kryeparlamentari, Konjufca, ka thënë se prilli i vitit 1999 erdhi i thyer në Kosovë, i kobshëm e i trishtë për popullin e Kosovës.

“Vetëm gjatë atij muaji më shumë se 1500 jetë të shuara mizorisht, fëmijë, gra e pleq, vëllezërit e motrat tona të masakruara dhe të zhdukura me dhunë nga ushtria, policia dhe paramilitarët e Serbisë. Shtëpitë digjeshin bashkë me trupat e njerëzve të gjallë.  Sot, 23 vite pas, le t’i kujtojmë Lybeniqin, Gjakovën, Mejën, Sopinë, Kralanin, Qypevën, Rezallën, Kaçanikun, Lubizhdën, Sllovinë, Poklekun, Çikatovën e Vjetër, Ribarin e Vogël, Koliqin, Hallaçin e Vogël, Grashticën, Dobroshin, Korenicën, Guskën dhe shumë vendbanime tjera si dëshmi e masakrave më të pamëshirshme, barbarizmit dhe gjenocidit të Serbisë pushtuese në Kosovë. Dëshmorët dhe martirët janë kujtimi ynë i përmotshëm dhe drita e pashuar e lirisë së Republikës”, ka thënë Konjufca./Shqip.com

Lybeniq, Pejë