Lajme

Borovci: Besoj në pafajësinë e Salih Mustafës

Hazir Borovci

Hazir Borovci ka dëshmuar para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë si dëshmitar i katërt i mbrojtjes për Salih Mustafën.

Borovci ka thënë se është i bindur në pafajësinë e Mustafës.

“Pastërtinë, të drejtën e UÇK-së e ka dëshmuar edhe 24 marsi, NATO, kurse unë personalisht kam bindje që do ta ndihmoj të drejtën, drejtësinë, do ta ndihmoj çlirimtarin, shokun, mikun, kjo është bindja ime dhe jam i bindur në pafajësinë e të akuzuarit, dhe jam i bindur në trupin gjykues, që nuk kërkoj mëshirë, por kërkoj drejtësi, dhe jam i bindur që në fund do të triumfojë drejtësia, e drejta dhe e vërteta”, ka thënë Borovci.

Para trupit gjykues, Borovci ka thënë se që nga koha e luftës, Salih Mustafën e konsideron mik.

“Kur e kam njohur dhe e kam ditur veprimtarinë e tij, që nga takimi në Butovc, sot e konsideroj dhe e kam shok, për shkak se na lidhte puna e përbashkët për lirinë e vendit, na lidhte puna për çlirimin e Kosovës, na lidhte edhe karakteri tjetër që ishte shumë fuqishëm i shprehur, karakteri human, ndihma popullatës civile”, ka thënë ai.

Ish-komandanti i UÇK-së – Salih Mustafa

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, Borovci ka thënë se gjatë periudhës së luftës nuk ka qenë i informuar rreth Gueriles BIA, por pas 24 marsit 1999 e kanë kuptuar që shërbejnë në kuadër të kësaj njësie.

“Në fillim kur jemi formuar kur jemi organizuar si grup, si ekip nuk kemi pasur njohuri për Guerilen BIA, para 24 marsit, duke ju falënderuar Isa Kastratit, Mustafë Sopit, që kanë pasur njohuri për UÇK-në, që kanë pasur njohuri edhe për Salih Mustafën, që e kanë njohur, sidomos profesori Mustafë Sopi, ata na kanë treguar ne përafërsisht kush janë dhe çka, por jemi ruajtur, janë ruajtur për shkak të rrezikut. Më vonë e kemi kaptuar që edhe ne jemi pjesë e gueriles, jemi pjesë e BIA-s, pjesë e Ushtrisë Çlirimtare, të Prishtinës”, tha Borovci.

Kryetari i Degës së Tretë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë, për SHQIP.com e kishte konfirmuar se dëshminë do ta japë sot në Gjykatën Speciale.

Lexo edhe:
Hazir Borovci të mërkurën do të dëshmojë para trupit gjykues në Hagë

Kush është Salih Mustafa

Mustafa ka qenë pjesë e organizimit të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, që nga viti 1988, nën udhëheqjen e Afrim Zhitisë, Fahri Fazlisë e Fadil Vatës.

Gjatë veprimtarisë ilegale, ishte arrestuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, në vitin 1993 dhe është dënuar me 5 vite burgim për organizim të kryengritjes së armatosur.

Në gusht të vitit 1997, pasi përfundon dënimin me burgim, Mustafa ishte angazhuar për organizimin dhe shtrirjen e UÇK-së në rajonin e Prishtinës, Obiliqit, Gjilanit, Vitisë e Kamenicës.

Ka udhëhequr njësitet guerile të UÇK-së nën emrin guerilja BIA deri me themelimin e zonave operative të Llapit dhe Karadakut.

Mustafa ka qenë bashkëveprimtar i Bahri Fazlisë, Agron Rrahmanit, Ilir Konushevcit, Raif Qelës, Fatmir Humollit, Isa Kastratit e shumë figurave tjera të UÇK’së.

Salih Mustafa ka qenë njëri nga themeluesit e LKÇK-së.

Ai shërbeu si shef i departamentit informativ të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pastaj edhe si këshilltar për inteligjencë i kryeministrit të atëhershëm, Agim Çeku./Shqip.com