Lajme

Nagavci: Kemi raste të dhunës nëpër shkolla të cilat nuk janë raportuar

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit - Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se gjatë periudhës 2021-2022 janë raportuar 20 raste të dhunës në shkolla. Mirëpo ajo beson se numri i rasteve të dhunës është më i madh ngase një pjesë e rasteve nuk janë raportuar. 

Nagavci ka raportuar para Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

“Ndonëse janë bërë hapa pozitiv në raportimin e dhunës në shkolla, ka ende të dhëna që nuk janë të raportuara. Gjate periudhës 2021-2022 janë raportuar 20 raste të dhunës në shkolla”, ka thënë ajo.

Sipas saj, në kuadër të Ministrisë veprojnë vetëm 83 inspektorë. Ajo ka deklaruar se ka kërkuar më shumë inspektorë.

Më tej, para anëtarëve të komisionit për të Drejtat e Njeriut ka shtuar se janë në finalizim të grupit punues në mënyrë që të harmonizojmë veprimet për të ofruar ambient të sigurt për nxënësit në shkolla.

Ndryshe dhuna fizike dhe verbale nëpër shkolla vazhdon të jetë njëra nga sfidat me të cilat është duke u përballur Ministria e Arsimit. Ndonëse nga viti në vit raportohet për rënie të numrit të rasteve megjithatë kjo dukuri vazhdon të jetë shqetësuese për komunitetin.  Një muaj më parë është vrarë me armë të ftohtë një nxënës i shkollës fillore nga një bashkëmoshatar në Prishtinë. /Shqip.com