Lajme

Ngrihet aktakuza ndaj Kurteshit, ky i fundit thotë se nuk është në dijeni

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, pritet të dalë para gjykatës lidhur me akuzat se ka kryer veprën penale “Sulmi”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj Kurteshit.

Megjithatë Kurteshi ka deklaruar se nuk ka njohuri që ndaj tij nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është ushtruar aktakuzë për veprën penale “sulmi”.

“Jo, prej juve po nij, me gjasë qashtu shkon, krejt bota duhet me ni përpara sesa personi i cili është i prekur”, deklaroi Kurteshi, në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” rezulton të jetë përpiluar më 21 dhjetor 2021.

Por, Kurteshi tha se nuk mund të deklarohet për gjëra që janë të panjohura për të.

“Unë nuk mund të deklaroj dhe të deklarohem për gjëra të panjohura për mua”, shtoi Kurteshi.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Sami Kurteshi po akuzohet sepse më 25 gusht 2021 në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë, me dashje përdor forcën ndaj të dëmtuarit Adnon Berisha.

Aktakuza thotë se derisa i dëmtuari Berisha ishte duke iu shërbyer me kafe dhe pa vendosur maskë, fillimisht i pandehuri i drejtohet me fjalët “djalo ku e ki maskën?” dhe pasi që i dëmtuari nuk përgjigjet, atëherë i pandehuri Kurteshi e kapë për krahu të dëmtuarin duke e tërhequr dhe duke i bërtitur me fjalët “ec jashtë” dhe e shtynë nga mbrapa me dy duart.

Me këtë, Kurteshi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulm” nga neni 184, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Ndryshe, më 25 gusht 2021 ishte raportuar se Policia e Kosovës (PK) ka nisur hetimet ndaj Sami Kurteshit, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si i dyshuar se ka sulmuar një person.

Këtë gjë, Kurteshi e kishte mohuar duke thënë se raportimet e mediave janë gënjeshtra. /Shqip.com