PDK-ja fajëson Qeverinë e Kosovës për emigrimin e popullatës

Shefi i grupit të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri deklaron se 199 mijë e 783 qytetarë kanë kërkuar largimin nga vendi. Ka hedhur fajin tek Qeveria e Kosovës për këtë emigrim duke e akuzuar për paaftësi.
“Kjo përmasë largimi dhe trendi që po vazhdon me kërkesat për viza është fatkeqësi për vendin, e cila e ka një adresë dhe kjo adresë gjendet në katin e dytë të ndërtesës së qeverisë. Trajtimi që ju bëhet mjekëve, specialistëve dhe infermierëve, arsimtarëve, policëve e shërbyesve civilë duke i trajtuar me lëmoshë e jo si palë në ndërtimin e kushteve më të mira për punë e shpërblim adekuat, ndërsa në anën tjetër, pa kurrfarë dialogu social, pa vizion për investime dhe pa asnjë plan për të rinjtë dhe të rejat që studiojnë, janë vetëm disa prej faktorëve që i kontribuojnë kësaj fatkeqësie” ka thënë ai.
Thotë se problemi duhet të adresohet ose në të kundërtën Qeveria të ofrojë dorëheqje.
“Është koha e fundit për të ecur me këmbë në tokë e për të reflektuar mbi shkaqet e këtij trendi e për të ofruar zgjidhje. Ose koha më e mirë për të lëshuar rrugë” ka thënë ai.
Ndryshe raportohet se 199 mijë e 783 qytetarë kanë janë duke pritur një vizë pune. Shifra po konsiderohet e madhe. Kosova vazhdon të ketë nivelin më të lartë të papunësisë. /Shqip.com