AGK “reagon” pas publikimit të Shqip.com për shitjet-blerjen e lajmeve nga Visar Duriqi

Në një reagim të çuditshëm, krejtësisht të përgjithshëm dhe me një gjuhë të thatë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar pas publikimit të lajmit “Biseda telefonike – Visar Duriqi pranon të publikojë lajme me pagesë të porositura nga “agjenti rus”, nga Shqip.com
Në “reagimin” e AGK-së thuhet se ky asociacion qëndron pas thirrjeve që gazetarët të respektojnë Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Kodin Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës, gjatë zhvillimit të punës së tyre.
“AGK-ja qëndron për respektim të Kodit Etik të Mediave. Në dritë të zhvillimeve të fundit, Asociaiconi i Gazetarëve të Kosovës dëshiron të ritheksojë se qëndron prapa thirrjes që gazetarët të respektojnë Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Kodin Etik për Ofruesit e Shërbimeve Mediale në Republikën e Kosovës, gjatë zhvillimit të punës së tyre”, thuhet aty.
Më tej theksohet se Asociacioni e ka parasysh se “kredibiliteti i mediave është ngushtë i lidhur me zbatimin e standardeve etike dhe ligjore nga ana e gazetarëve”.
“AGK-ja inkurajon zhvillimin e gazetarisë profesioniste, e cila është shtyllë e rëndësishme në funksionimin e demokracisë të një vendi”, thuhet më tej në reagim.
Ky reagim pa përmbajtje i AGK-së, erdhi disa orë pasi Gazeta Shqip.com ka publikuar audio-incizimin e një bisede telefonike të gazetarit Duriqi me Halit Sahitajt, të cilin vetë Duriqi në emisionin e tij e ka portretizuar si agjent i dyshuar rus, por në bisedë me të futet në pazar lajmesh.
Ai pranon që të publikojë lajme me pagesë, kur Sahitaj e porositë të merret me tri tema për të cilat merren veç se si t’i “shtyjnë përpara”, por vetëm çmimi nuk vendoset.
Biseda telefonike e siguruar nga Gazeta Online Shqip.com vë në pah shkeljen më të madhe profesionale që një gazetar mund të bëjë brenda profesionit, sipas Kodit të Mediave të Shkruara në Kosovë.
Pranimi i mitos – parave – për të publikuar lajme është i dënueshëm rëndë me Kodin e Mediave të Shkruara në Kosovë.
Në kreun e VIII të kodit (korrupsioni dhe mitoja) thuhet se gazetarët e kanë të ndaluar të pranojnë mito, veç tjerash, që komprometon kredibilitetin e tyre moral dhe profesional.
Madje, sipas të njëjtit kod, gazetarët nuk bën të pranojnë as “akte specifike të zemërgjerësisë të cilat do të mund të ndikojnë në pavarësinë e tyre profesionale”.
Klikoni mbi linkun e bashkëngjitur për të shikuar publikimin e Shqip.com lidhur me rastin. /Shqip.com