Klinaku i OVL-UÇK-së: Nuk pastrohet lista pa komandant

Çështja e pastrimit të listave të veteranve ishte një ndër temat që u diskutua gjatë takimit të përfaqësuesve nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me kryeministrin, Albin Kurti.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL e UÇK-së, Faton Klinaku për SHQIP.com tha se për këtë çështje kanë ftuar prokurorinë e vendit të nis hetime.
“Nuk pastrohet lista pa komandant, ne e kemi ftu prokurorinë me kry këtë punë” – u shpreh Klinaku.
Klinaku po ashtu foli për ndryshimin e Ligjit për pensionet e veteranëve për të cilën thotë se i kanë thënë Kurtit që kjo temë “nuk bën të preket”.

Ndërsa shtoi se do të takohen sërish me Kurtin.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një debati në transmetuesin publik pati thënë se nuk mund të jenë më shumë se 20 mijë veteranë.
“Nuk ka teori mbi 20 mijë veteranë të luftës. Mund të kenë qenë pjesëmarrës në luftë, pjesëmarrës ndoshta janë 60 mijë, ndoshta edhe mbi 60 mijë , po veteranë nuk mund ta jenë më shumë se 20 mijë”, kishte thënë kryeqeveritari.
Më 19 janar të vitit 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë pati shpallur të pafajshëm 12 të akuzuarit për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Listës së personave të akuzuar i printe Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Të njëjtit ishin akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për shkak se gjatë intervalit kohor nga data 28.10.2011 e deri me datë 31.01.2017, në Prishtinë në ndërtesën e Qeverisë të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë, si anëtarë të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së UÇK-së, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, me dashje nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, me qëllim që të tjerëve t’u sjellin përfitimin pasuror të kundërligjshëm në dëm të buxhetit të Kosovës.
Megjithatë, Gjykata e Apelit ende nuk ka marr vendim lidhur me rastin në fjalë pasi Prokuroria Speciale e ka ankimuar vendimin e shkallës së parë./Shqip.com