Kurti takohet me historianin Schmitt, flasin për invazionin dhe agresionin rus në Ukrainë
Për njëvjetorin të votimit të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti foli për të arriturat, përmbushjen e programit qeveritar dhe sfidat për të ardhmen.
Gjatë takimit me historianin, Oliver Jens Schmitt, Kurti foli tha se është shënuar rritje ekonomike dhe rezultate të mira në luftën kundër krimit e korrupsionit.
Në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Schmitti e përgëzoi kryeministrin për të arriturat dhe për stabilitetin politik në qeverisje.
“Ai e vlerësoi Kosovën si vendin me demokracinë më funksionale në rajon, me media dhe shoqëri të lirë. Bashkimi Evropian duhet ta vlerësojë këtë progres të Kosovës, tha Schmitti”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu thuhet se Kurti dhe Schmitti diskutuan për pushtimin dhe agresionin rus në Ukrainë dhe ndikimin që mund të ketë në Evropë e posaçërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Oliver Jens Schmitt është profesor i historisë së Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës dhe studiues i albanologjisë. Ai është anëtar i rregullt i Akademisë Austriake të Shkencave dhe anëtar nderi i Akademisë së Kosovës.
Ka shkruar disa libra me analiza për historinë dhe figurat shqiptare: “Historia e shqiptarëve”, “Skënderbeu”, “Shqiptarët, një histori midis Lindjes dhe Perëndimit”, “Kosova, histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike”, “Arbëria Venedike” etj.
Siç raporton Zyra e Kryeministrit, Schmitt ia dhuroi Kurtit librin e tij të fundit, përmbledhjen në pesë vëllime të korrespondencave të konsujve austriakë për Kosovën me titull: “Politika dhe Shoqëria e Vilajetit të Kosovës”./Shqip.com