Vdes balerini i njohur ukrainas pasi u plagos nga bombardimet ruse

Një yll i baletit ukrainas ka vdekur pasi u granatua nga pushtuesit rusë.
Artyom Datsishin, 43 vjeç, kishte qenë në spital duke luftuar për jetën për gati tre javë.
Ylli i njohur ndërkombëtarisht ishte plagosur në kryeqytetin Kiev dy ditë pas fillimit të pushtimit rus, shkruan DailyMail.
“Më 26 shkurt, ai u qëllua nga ushtria ruse,” tha shoqja Tatyana Borovik.
Ai u plagos rëndë dhe vdiq në spital.

Datsishin kishte interpretuar rolet kryesore në “Liqeni i Mjellmave”, “Arrëthyesi”, “Bukuroshja e Fjetur”, “Xhisiela” dhe “Romeo dhe Zhuljeta”. Ai kishte bërë turne në Evropë dhe SHBA.
Stili i tij i kërcimit kishte ‘ekspresivitet akademik, ngazëllim romantik dhe thellësi psikologjike’.
Vdekja e tij nga zjarri rus provokoi zemërimin e një prej emrave më të mëdhenj të baletit të Moskës, koreografit Alexei Ratmansky, ish-drejtor artistik i Baletit Bolshoi.
“Jam i tërbuar”, tha ai, duke shtuar se vdekja e Datsishin nga duart e pushtuesve rusë provokoi “dhimbje të padurueshme”.