Reagon HIB Petrol për shmangien e taksave doganore: Dyshojmë se ka vepruar një person për interesa personal

Pompa e derivateve HIB Petrol ka reaguar pas dyshimeve për shmangien e taksave doganore në vlerë të mbi 500 mijë eurove.
Në një njoftim në Facebook, HIB Petrol kanë thënë se është njoftuar në lidhje me dyshimet dhe hetimin e një skeme të keqpërdorimit të emrit dhe të autorizimeve, dhe e cila skemë mund të përfshijë një punonjës të HIB Petrol ShPK që ka vepruar individualisht dhe për interesa personale.
“Në këtë drejtim, HIB Petrol ShPK që ka cilësinë e palës së dëmtuar, është në bashkëpunim të plotë me organet shtetërore duke tentuar që të bëjë sqarimin e plotë të ngjarjeve dhe të personave përgjegjës”, thuhet në njoftim.
HIB Petrol ka ofruar tërë mbështetjen dhe dokumentacionin të cilin e ka pasur në dispozicion si dhe bashkëpunimin e plotë me qëllim të zbardhjes së plotë të ngjarjes.
“HIB Petrol ShPK do të ushtrojë tërë mjetet ligjore për të adresuar dëmet të cilat i janë shkaktuar në lidhje me keqpërdorimet e mundshme”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e HIB Petrol.
Sipas burimeve të Shqip.com, pak më parë është raportuar se një nga menaxherët kryesor të kompanisë HIB Petrol është arrestuar sot nga Dogana e Kosovës.
Burimet brenda këtij autoriteti, bëjnë me dije se i njëjti është arrestuar nën dyshimet për falsifikim dokumentesh me qëllim të shmangies së detyrimeve doganore.
Dyshimet janë për shmangie të taksave doganore në vlerë të mbi 500 mijë eurove.