Bakraqi përfaqësoi Kosovën në Beograd, por pa flamur

Gresa Bakraqi ka garuar në Kampionatin Botëror të Sallës, që po mbahet në Beograd të Serbisë.
Atletika kështu sërish ka thyer barrierat e sportit tonë, duke arritur të garojë në Kampionatin Botëror që po mbahet në Beograd të Serbisë.
Gresa u përfaqësua me inicialet KOS në fanellë, njësoj si të gjitha pjesëmarrëset tjera.
Për shkak të Kosovës flamujt e shteteve pjesëmarrës nuk u shfaqen në stadium.
Para udhëtimit në Beograd, Bakraqi për Shqip.com kishte thënë se nëse nuk ia lejojnë flamurin e shtetit, nuk do të pranojë të garojë fare.
Po ashtu regjia serbe nuk shfaqi flamurin e Kosovës tek emri i garueses, por vetëm shkurtesën KOS.
Në lidhje me këtë, Komiteti Olimpik i Kosovës së bashku me Federatën Atletike të Kosovës janë ankuar në Federatën Ndërkombëtare të Atletikës dhe në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.
Gresa garoi në 1500 metra dhe doli e 17-ta nga 19 garuese, me kohë 4 minutë e 28.40 sekonda.

Pas garës, Bakraqi, ka rrëfyer përvojën e saj dhe presionet që kishte nga organizatorët.
“Ka qenë emocion i veçantë, të garosh e vetme në stadium, pa ndonjë atlet tjetër nga Kosova, por njekohesisht ishte nderë dhe privilegj ta përfaqësosh vendin në Boterorin, që po mbahet në Serbi. Vazhdimisht organizatori është munduar të ma mbulojë fanellën ku shkruante Kosova. Jam ndier e diskriminuar dhe asesi nuk kam pranuar të garojë, derisa të jem e barabartë me garueset tjera. Në fund, kanë lëshuar pe dhe kam garuar me shkurtesën KOS”, deklaroi Bakraqi për Komitetin Olimpik të Kosovës.
Javë më parë atletët kosovarë thyen një barrierë të madhe, pasi u lejuan të marrin pjesë në Kampionatin Ballkanik U-20./Shqip.com