Lajme

Ministria e Infrastrukturës tërheq vendimin që përgjysmonte çmimin e biletave për autobusët ndërurban

Vendimi për uljen e çmimit të biletave për 50 për qind në transportin ndërurban për disa kategori, është tërhequr mbrapsht nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Kështu ka njoftuar zëvendësministri i këtij dikasteri, Hysen Durmishi, përmes një konference për media, vetëm pak ditë pas paralajmërimeve për protestë.

Durmishi tha se këtë vendim e kanë marrë pasi kompanitë e linjave të autobusëve ndërurban janë zotuar se do t’i ulin çmimet për këto kategori.

“Tani pas shumë diskutimeve që i kemi pas bashkë me shoqatat, kemi ardhur në një përfundim të përbashkët që edhe duke pas parasysh që ka filluar rënia e çmimit të derivateve të naftës, kemi arritur në një marrëveshje që çmimet për këto kategori shoqërore të kthehen në gjendjen që kanë qenë.

“Kryetari dhe përfaqësuesit rajonal janë zotuar se do të kthehen çmimet e biletave siç kanë qenë dhe nuk do t’i rrisin edhe nëse do të kenë rritje të çmimeve të derivateve të naftës”, ka thënë Durmishi.

Para këtij vendimi, transportuesit kanë deklaruar se do ta heqin padinë.

Në anën tjetër, kryetari i Shoqatës së Transportuesve të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj tha se pret nga kompanitë të mos i rrisin çmimet.

“Siç jemi pajtuar, zotohemi që nuk do të ketë rritje të çmimit të biletave, efekti është arritur”.

Pjesa dërrmuese e kompanive për transport ndërurban në vend, kanë rritur çmimet e biletave menjëherë pas rritjes së çmimit te naftës dhe derivateve të saj.

Çmimi i biletës për linjën Prishtinë- Mitrovicë, ka shënuar rritje nga 1 euro në 1.50 euro, Prishtinë- Gjilan nga 2 në 2.50 euro ndërsa Prishtinë- Pejë nga 5 në 6 euro.

Si rrjedhojë, me 11 mars, Ministria mori vendim që të përgjysmoj çmimet për: fëmijët, studentët, invalidët e luftës, invalidët e punës dhe pensionistët./Shqip.com