Kulturë Kino

Regjisori Samir Karahoda ftohet të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit

Regjisori i njohur kosovar Samir Karahoda është ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit.

Kjo është bërë e ditur nga Qendra e Kinematografisë së Kosovës.

Filmi dokumentar i shkurtër ‘Në mes’ ishte debutimi i tij regjisorial, i cili në 2019 shfaqi premierën botërore në Berlinale, po ashtu ishte filmi i parë kosovar që konkurroi në këtë festival.

Filmi ‘Në mes’ ishte edhe kandidat për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit EFA në 2019.

Ndërkaq ‘Pa vend’ është filmi i tij i dytë me metrazh të shkurtër i cili shfaqi premierën në konkurrencën zyrtare në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 2021 prej nga edhe u shpërblye me nominim për çmimin e Akademisë Evropiane EFA për filmin më të mirë evropian.

Filmi “Pa vend”, në shtator të vitit 2021, fitoi çmimin IMDb Pro shortcuts si filmi më i mirë i shkurtër në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto.

Samir Karahoda në vitin 2019 është shpërblyer me çmimin vjetor të kinematografisë nga Ministria e Kulturës.

Akademia Evropiane e Filmit u themelua më 1989 dhe momentalisht numëron rreth 4200 anëtarë nga lëmi të ndryshme të kinematografisë. Samiri i bashkohet grupit të rreth 20 kinestëve kosovar tashmë anëtarë të EFA-s.