Lajme

Basha dëshmon në Prokurori: Autorët e protestës së 8 janarit të vihen para drejtësisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha

“Kërkoj zbardhjen e plotë dhe vendosjen para drejtësisë të autorëve të dhunës së protestës”.

Kështu ka deklaruar të premten kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pasi përfundoi dëshminë e tij në Prokurorinë e Tiranës, e cila zgjati dy orë e tridhjetë minuta, në lidhje me protestën e 8 janarit, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Mes tjerash, Basha ka nënvizuar se “Berisha për egoizmin dhe interesat e tij personale po shkatërron PD-në”.

Sipas tij, demokratët u thirrën për t’u përdorur si fasadë dhe vetëm një pjesë shumë e vogël iu përgjigj thirrjes së Berishës, të cilët edhe ata “u distancuan nga aktet e dhunës”.

“Demokratët ja kanë dalë që të tregojnë se nuk mund të bëhen pjesë e inskenimit të dhunës. PD mbetet një forcë politike e pjekur dhe e mençur. Kështu duhet ta shihni 8 janarin, jo si një ngjarje të izoluar, por si një pjesë e një grupi njerëzish që duan ta mbajnë për interesin tyre personal”.

“Nga ana tjetër janë shqiptarët dhe demokratët që duan ndryshimin dhe jemi të vendosur që mos të lëshojmë pe. E sotmja si 8 janari kanë hyrë në historinë e demokratëve si ditë të dhimbshme”, është shprehur Basha.

Një ditë më parë, ka qenë ish-kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ka dhënë dëshminë e tij në Prokurori për protestën e thirrur. /SHQIP.com