Kulturë

74 vjet më parë u themelua Arkivi i Shtetit Shqiptar

Arkivi i Shtetit Shqiptar
Arkivi i Shtetit Shqiptar

Arkivi i Shtetit shqiptar u themelua më 8 qershor të vitit 1949.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në vazhdën e procesit inovativ të digjitalizimit të dokumentacionit arkivor, ka çelur një sërë Këndesh Arkivore. Në përmbajtje të zotimit për të ofruar mundësi të njëjta hulumtimi, Salla e Studimit në Tiranë është binjakëzuar jo vetëm anembanë vendit, por edhe në Kosovë, në Greqi dhe në Italinë e Jugut.

Gjithashtu ka marrë trajtë projekti inovator, Muzeu Arkivor, i cili pritet të hapë dyert së afërmi. Ky muze do të jetë një qendër shumëfunksionale edukimi, duke ndërthurur novacionin me historinë dhe trashëgiminë dokumentare kombëtare.

Vitin e shkuar, DPA-ja uli tarifat e dokumenteve dhe të imazheve, duke i mundësuar çdo studiuesi kryerjen e hulumtimeve me çmime të volitshme. Pas një periudhe të gjatë mungese dhe me një premisë periodike, DPA-ja u kthye në funksionin e botueses me 6 publikime të reja, që trajtojnë tematika historike dhe të lëmit të arkivistikës.

Vit pas viti, mbahet Konferenca Mbarëkombëtare e Arkivistikës, që mbledh arkivistë e studiues të trojeve për të diskutuar mbi sfidat dhe praktikat e përbashkëta të dy institucioneve arkivore, DPA dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (ASHAK), raporton atsh.

Kalendari i aktiviteteve të institucionit është i ngjeshur me ekspozita mbi figura, ngjarje dhe përvjetorë me rëndësi në historinë e vendit, duke shpalosur pjesërisht dokumente të papublikuara më parë.

/Shqip.com