Lajme

7 nga 10 policët e lënduar janë shqiptarë, 3 serbë

Aksioni në Veriun e Kosovës

Shtatë nga 10 zyrtarët policorë të lënduar në aksionin e sotëm në Veri të Mitrovicës janë shqiptarë, ndërsa tre të tjerë i përkasin komunitetit serb, njofton Shqip.com.

Kështu është bërë e ditur në njoftimin e fundit të lëshuar nga Policia e Kosovës, ku thuhet se si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, edhe një nga personat e përfshirë në sulm ndaj policëve ka mbetur i lënduar.

Si rezultat i gjithçka që ndodhi, deri më tani janë arrestuar tetë persona të dyshuar për kontrabandim me mallra dhe 10 te tjerë të dyshuar, janë shpallur në kërkim policor.

“Po ashtu janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj”, thuhet më tej në njoftimin e policisë.

Operacioni policor ka përfunduar, situata në pjesën veriore të Mitrovicës është e qetë, ndërsa Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë është duke kryer hetime intensive drejt identifikimit edhe të personave të dyshuar që kanë kryer sulmet me mjete të rrezikshme, armë zjarri ndaj zyrtarëve policorë dhe atyre doganorë.

Gjatë mëngjesit të së mërkurës, në Mitrovicën e Veriut janë rikthyer barrikadat e serbëve lokalë pas aksionit të Policisë kundër kontrabandës me mallra.

Ky plan operativ i Policisë u pengua pasi rrugët kryesore u bllokuan.

Përmes një kumtese, Policia ka treguar se “zyrtarët policorë janë rrezikuar nga grupet kriminale”, pasi në përdorim janë vënë edhe armët e zjarrit.

Policia në vetëmbrojte dhe për ta ruajtur qetësinë ka përdorur të gjitha mjetet e ligjshme. /Shqip.com