Ekonomi Biznes

7 milionë pasagjerë – Aeroporti i Rinasit shënon shifrën rekord, numri i udhëtarëve rritet me 35%

Aeroporti ndërkombëtar i Tiranës vijon të jetë porta më e madhe hyrëse e vizitorëve në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare nga 1 janari deri në 18 dhjetor 7 milionë pasagjerë janë regjistruar në këtë aeroport.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i pasagjerëve është rritur me 35%. Këto shifra rekord janë regjistruar ndërkohë që Shqipëria pati këtë vit bumin më të madh turistik, ndërsa aeroporti i Rinasit vijon të jetë pika hyrëse kryesore e të huajve që vizitojnë Shqipërinë.

Kryeministri Edi Rama reagoi menjëherë sapo shifra u bë publike. Kreu i qeverisë shkroi në Facebok: “Një fakt sa njëmijë fjalë”, duke iu referuar pikërisht shifrës së pasagjerëve të regjistruar në Rinas për vitin që po lëmë pas.

Pas bumit turistik, Shqipëria vijon të ketë vizitorë edhe në periudhën e dimrit.

Në terminalin e Rinasit të huajt janë të shumtë.

“Jam nga Kina, sapo mbërrita në Tiranë. Akoma nuk e kam pare Shqiperine, por kur isha ne avion pashe nje pejsazh shume te bukur. Do të qëndoj një javë, do të vizitoj edhe Kosovën, Malin e Zi gjithashtu.

“Jam nga Holanda. Qendrova tre dite ne Shqiperi. Vendi juaj eshte i bukur, ushqimi i mire dhe sherbimi gjithashtu”.

“Kemi ardhur nga Italia, do të qendrojme tre dite në Shqipëri, besoj eshte mjaftueshëm per ta eksploruar”.

Fluksi i pasagjerëve në këtë periudhë në Rinas shtohet edhe nga emigrantët shqiptarë të cilët, kthehen në atdhe për të festuar ndërrimin e viteve pranë të afërmve.

“Jetoj në Gjermani, erdhëm për festat. T’i kalojmë në familje.”

Fluksin e madh të pasagjerëve që janë regjistruar në Rinas e konfirmon edhe Këshilli ndërkombëtar i Aeroporteve në Europë, që së fundmi e ka renditur aeroportin Nënë Tereza mes 5 aeroporteve që raportuan trafikun më të lartë të pasagjerëve, krahasuar me tetorin e 2019, periudhën përpara pandemisë.

Për shifrat e larta të udhëtarëve kanë ndikuar edhe linjat ajrore me tarifa të ulëta që kanë nisur të operojnë vitet e fundit në vendin tonë.

Krahasuar me një vit më parë, numri i turistëve në këtë periduhën vjeshtë dimër është më i lartë. Sipas shifrave zyrtare deri në fund të nëntorit, vendi ynë regjistroi 9.53 milion turistë, ndërsa sipas projeksioneve të qeverisë kjo shifër deri në fund të dhjetorit pritet të arrtijë deri në 10 milion.

/Shqip.com