Ekonomi

7.5 milionë turistë vizituan Shqipërinë gjatë vitit 2022

Mbi 7.5 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë vitin e kaluar, duke vendosur kështu një rekord historik.

Peshën më të madhe, gati gjysmën e tyre e mbajnë turistët shqipfolës nga Kosova, ndërsa rritjen më të madhe sipas statistikave e kanë shënuar vizitorët nga Spanja me 3.6 herë më shumë se në vitin 2021 si dhe nga Anglia që ka parë një rritje me gati 86% përgjatë 12 mujorit.

Vizitorët nga Evropa perëndimore u dyfishuan vitin e kaluar. Të dhënat flasin për një rritje të fluksit të hyrjeve veçanërisht në rrugë ajrore, por edhe të atyre detare e kalimit në pikat kufitare tokësore.

Pjesa më e madhe e të huajve kanë zgjedhur Shqipërinë për të pushuar, por statistikat flasin edhe për një rritje të atyre për qëllime mjekësore.

Por, edhe shifra e shqiptarëve që kanë dalë jashtë vendit një vit me parë rezultoi ndjeshëm e lartë me mbi 5.8 milionë shtetas që kaluan kufijtë, 40% më shumë se kundrejt vitit 2021, raporton Top Chanel.

/Shqip.com