Lajme Botë

67 gazetarë dhe punonjës të mediave u vranë në vitin 2022

Lufta e Rusisë në Ukrainë, kaosi në Haiti dhe dhuna në rritje nga grupet kriminale në Meksikë, kontribuuan në një rritje prej 30 për qind të numrit të gazetarëve të vrarë duke bërë punën e tyre në vitin 2022 krahasuar me një vit më parë, sipas një raporti të ri të publikuar të premten.

Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve thotë se 67 gazetarë dhe staf mediatik janë vrarë në mbarë botën në vitin 2022, krahasuar me 47 gazetarë të vrarë vitin 2021.

Grupi me seli në Bruksel numëroi 375 gazetarë të burgosur aktualisht për punën e tyre, me shumicën prej tyre në Kinë, Myanmar dhe Turqi. Raporti i vitit të kaluar rendiste 365 gazetarë prapa grilave.

Me rritjen e numrit të të vrarëve nga radhët e punonjësve të medies, grupi i lartcekur u bëri thirrje qeverive të ndërmarrin veprime më konkrete për t’i mbrojtur gazetarët dhe gazetarinë e lirë.

“Dështimi për të vepruar vetëm do t’i inkurajojë ata që kërkojnë ta shtypin rrjedhën e lirë të informacionit dhe ta minojnë aftësinë e njerëzve për t’i mbajtur udhëheqësit e tyre përgjegjës, duke përfshirë sigurimin që ata me pushtet dhe ndikim të mos qëndrojnë në rrugën e shoqërive të hapura dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet në deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të IFJ-së, Anthony Bellanger.

Më shumë punonjës të medies u vranë duke mbuluar luftën në Ukrainë – 12 gjithsej se në çdo vend tjetër këtë vit, sipas IFJ-së. Shumica ishin ukrainas, por ky numër përfshin edhe ata të kombësive të tjera si regjisori amerikan i filmave dokumentarë Brent Renaud.

Shumë vdekje ndodhën në javët e para kaotike të luftës, megjithëse kërcënimet ndaj gazetarëve vazhdojnë ndërkohë që luftimet zvarriten, shkruan IFJ.

IFJ me qendër në Bruksel përfaqëson 600 mijë profesionistë të medies nga sindikatat dhe shoqatat në më shumë se 140 vende të botës. Raporti u publikua në prag të Ditës së të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara.

/Shqip.com