Kulturë

50-Vjetori i Drejtshkrimit

Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe ajo e Kosovës kanë festuar 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, të nëntorit të vitit 1972, që shërbeu si themeltar i një gjuhe standarde shqipe.

Me praninë e përfaqësuesve nga trojet shqiptare, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, nën kujdesin e të cilit u mbajt konferenca jubilare, e quajti arritje.

Ndërsa, kreu i Akademisë së Shqipërisë, Skënder Gjinushi, unifikimin e sheh në Bashkimin Evropian. “Shqiptarët, të orientuar tërësisht drejt një bashkësie të qytetëruar evropiane, siç është Bashkimi Evropian, do të bëhen pjesë e saj jo si toskë e gegë, por si shqiptarë e si një komb”, ka thënë mes tjerash Gjinushi.

E, Akademik Mehmet Kraja, njëherësh kryetar i Akademisë së Shkencave të Kosovës, në fjalën e tij, para të pranishmeve, ka thënë se si shkrimtar i përkulet gjuhës shqipe si më të madhes vlerë që kemi.

“Ju them pa asnjë mëdyshje se gjuha letrare shqipe nuk më ka zhgënjyer asnjëherë, as me kuptimet e bartura të fjalëve, as me të kryerën e tejshkuar ose me paskajoren e foljeve dhe as me hijeshinë sintaksore që marrin fjalitë e bashkërenditura ose nënrenditura në një frazë shumëkuptimore”.

Shkrimtari Mehmet Kraja tutje ka shtuar se, “shtetet tona nuk kanë nevojë të bëjë politika të mbrojtjes së gjuhës nga folësit e saj, madje edhe nëse ata ndonjëherë ndodh të abuzojnë me gjuhën dhe nuk janë në të drejtën e Zotit për me e përdorë gjuhën me dinjitet dhe nder, por shteti ka nevojë të bëjë politika të mbrojtjes së gjuhës nga braktisja e folësve të saj”.

Krejt në fund, Akademia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës e trajtuan vetëm si festë përvjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit.

/Shqip.com