Lajme

50 forca policore nisen për të arrestuar kushëririn e Ervis Martinajt, Eljon Hato u lëshon qentë dhe arratiset

Rreth 50 forca të policisë së Shkodrës, FNSH por edhe një grup i RENEA zhvilluan një kontroll të befasishëm në një fshat të Shkodrës për arrestimin e Eljon Hato i shpallur në kërkim si i dyshuar në dosjen “Metamorfoza”.

Ky operacion nuk u finalizua pasi Hato nuk ndodhej në atë banesë. Bilanci i vetëm ishte vrasja e qenit.

Shtëpia ku u bë kontrolli është e vëllait të Eljon Hatos, Elkier Hato. Ky i fundit akuzon shefin e komisariatit të policisë së Shkodrës Idriz Daulle si i paguar nga grupe kriminale për të dëmtuar familjen Hato.

Mësohet se policia ka pasur informacion nga grupet operative se mund të arrinin në gjurmët e Eljon Hatos brenda banesës së të vëllait që ndodhet në fshatin Grudë.

Por policia edhe pse kaloi murin rrethues pa mandat kontrolli, nuk ka gjetur asnjë gjurmë. Operacioni rezultoi i pasuksesshëm. Vëllai i Eljo Hatos ka pasur rezerva për shefin e komisariatit dhe e ka konsideruar ngjarjen të dhunshme. Për këtë ka bërë edhe një denoncim.

Dyshohet se Eljon Hato, kushëri i afërt i Ervis Martinajt, i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022, është arratisur në kohë dhe gjatë ikjes iu ka lëshuar qentë efektivëve. Këta të fundit kanë hapur zjarr duke vrarë një prej qenve të shtëpisë.

Kush është Eljon Hato
Eljon Hatos është një person me rekorde të shumta kriminale, ndërsa njihet edhe si ‘ushtar’ i Ervis Martinajt. Ai ka qenë i përfshirë në vrasjen e bujshme në zonën e ish-bllokut në vitin 2018, ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha. I konsideruar “ushtari” i Ervis Martinajt, Eljon Hato mbeti i plagosur në përplasjen me armë brenda lokal “Monopol”, u arrestua nga policia, por pas disa kohësh u la i lirë.

Më 12 maj të vitit 2014, Eljon Hato, nën efektin e alkoolit ka vrarë një moshatarin e tij pas një sherri banal.

Në fshatin Zus në Shkodër, Eljon Hato, asokohe 24 vjeç, ka vrarë Indrit Yllin si edhe ka plagosur Jetmir Mollën. Policia sqaroi asokohe se autori dhe viktima, bashkë me të plagosurin ndodheshin së bashku në një lokal dhe pas një debati banal, Hato ka nxjerrë armë e tij dhe ka qëlluar në drejtim të Indrit Yllit.

Porositi vrasjen e mjekut
Vetëm një vit pas vrasjes, në 2015-ën pasi ndodhej në burgun e Shën-Kollit, Eljon Hato, u akuzua se porositi vrasjen e mjekut radiolog të spitalit të Shkodrës, Agron Terolli. Hato kishte “pajtuar” një 21-vjeçar i cili do të kryente vrasjen, por fatmirësisht policia, falë të dhënave në rrugë operative, arriti ta parandalonte ngjarjen e rëndë. Në 2015-ën, djali i doktorit Agron Terrolli, kishte plagosur me armë zjarri pa leje një person duke e lënë të paaftë fizikisht dhe dënimin për këtë vepër penale e ka kryer në burgun e Shën Kollit, ku qëndronte për të vuajtur dënimin edhe Eljon Hato. Policia u përqendrua asokohe në pistën e një hakmarrje të mundshme të Hatos ndaj djalit të mjekut. Ekzekutimi i mjekut dështoi falë ndërhyrjes në kohë të forcave të policisë që prej kohësh kishin nën vëzhgim 21-vjeçarin Osman Mulja, i paguar për të kryer vrasjen.

/Shqip.com