Lajme

5 persona vdiqën dje në aksidente trafiku e 3 u lënduan rëndë

Pesë persona kanë mbetur të vdekur dhe tre të tjerë me lëndime të rënda si pasojë e tri aksidenteve trafiku, që kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme në Kosovë. Aksidentet kanë ndodhur në Graçanicë, Podujevë dhe Pejë.

Aksidenti i parë ka ndodhur rreth orës 16:30, në rrugën Llapnasellë-Graçanicë, ku një person ka vdekur dhe një tjetër është lënduar rëndë.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e ka konfirmuar rastin për Express, derisa ka treguar se në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura, të cilat kanë qenë në lëvizje.

 “Sot rreth orës 16:30 kemi pranuar informatën se në rrugën Llapnasellë -Graqanicë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale.Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, dy automjete, të cilat kanë qenë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar dy persona, një prej tyre nuk ka arritë të përballojnë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK. Me rastin po merret hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor”, ka thënë Ahmeti.

Dy persona të tjerë kanë vdekur si pasojë e një vetaksidenti që ka ndodhur në Podujevë.

Edhe këtë rast e ka konfirmuar Ahmeti, e cila bëri me dije se edhe një person ka mbetur i lënduar rëndë.

Me hetimin për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetaksidenti, po merren hetuesit nga Njësiti i trafikut

“Sot rreth orës 20:30 në rrugën që lidhë fshatin Sfeqël me fshatin Shajkovc të Podujevës, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë. Si pasojë e aksidentit tre persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Dy nga personat e lënduar nuk kanë arrit të përballojnë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe të njëjtit kanë vdekur. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.Me hetimin për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetaksidenti, po merren hetuesit nga Njësiti i trafikut”, ka deklaruar Ahmeti.

Një tjetër aksident me fatalitet ka ndodhur në fshatin Ozdrim të Pejës. Si pasojë e këtij aksidenti kanë vdekur dy persona, dhe është lënduar rëndë një tjetër, i cili është dërguar për trajtim në Spitalin e Pejës.

Lajmin për Express e ka konfirmuar zëdhënësi i PK të Pejës, Driton Rugova, i cili ka treguar se poashtu shoferi i automjetit gjendet në stacionin Policor të Pejës.

“Policia është informuar për një aksident trafiku në Ozdrim të Pejës. Të përfshira janë një veturë dhe tre këmbësorë. Dy janë të vdekur, këmbësori i tretë është dërguar për trajtim në Spitalin e Pejës. Vozitësi i Automjetit është në stacion policor në Pejë”, ka deklaruar Rugova.

/Shqip.com