Lajme Ballkan

47 policë të lënduar nga protestat, dy në gjendje të rëndë

Ministria e Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, e dëmtuar gjatë protestës

Protestat e djeshme e VMRO-DPMNE-së kundër propozimit të ri francez eskaluan kur protestuesit arritën pranë Kuvendit, ku nga përballja mes protestuesve dhe policisë mbetën të lënduar 47 policë, dy prej të cilëve në gjendje më të rëndë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, 11 protestues janë arrestuar.

Po ashtu, kjo ministri ka bërë të ditur se policia nuk ka përdorur mjete piroteknike dhe as kimike për ta shpërndarë turmën, raporton Alsat M.

Protestuesit janë duke e kundërshtuar një propozim francez i cili synohen të ndihmojë në tejkalimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes, që kanë të bëjnë me gjuhën dhe historinë.

Protesta në Maqedoni të Veriut

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, i dënoi sulmet e mbrëmshme mbi policinë duke potencuar se edhe pse protestat janë e drejtë demokratike, dhuna nuk mund të arsyetohet me asgjë./Shqip.com