Lajme

4 persona nën aktakuzë, kërcënuan gjyqtarin dhe prokurorin që ia ndryshuan masën e sigurisë Dejan Pantiqit

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër katër personave – A. M, E. A, Q. E dhe E. Z. Ndaj dy prej tyre, A.M dhe E.A, është ngritur aktakuzë për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.

Ndërsa, kundër Q. E dhe E. Z është ngritur aktakuzë për veprën penale “Kanosja” pasi kanë kanosur prokurorin A. Sh dhe gjyqtarin M. B.

Gjithashtu, të pandehurit AM dhe E.A. duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social ‘’Facebook’’, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje nda prokurorit dhe gjyqtarit, pas vendimit për ndryshimin e masës së sigurisë për Dejan Pantiqin, të arrestuar në Veri.

Komunikata e plotë:

Prishtinë, 8 nëntor 2023 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurve me inicialet AM, E.A, Q.E dhe E.Z.

Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër dy të pandehurve AM dhe E.A është ngritur për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit” nga neni 141 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Ndërsa, kundër të pandehurve Q.E dhe E.Z është ngritur aktakuzë për veprën penale “Kanosja” nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, pasi që të njëjtit me dashje kanë kanosur të dëmtuarit  A.Sh dhe M.B.

Gjithashtu, të pandehurit A.M dhe E.A. duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social ‘’Facebook’’, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mos durim ndaj të dëmtuarve, prokurorit A.Sh dhe gjyqtarit M.B, lidhur me një vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit D.P.

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.

/Shqip.com