Lajme

34 vjet nga demonstratat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës

34 vjet nga demonstratat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës
34 vjet nga demonstratat kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës

Më 23 mars të vitit 1989, në Kuvendin e Kosovës, u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974 dhe u suprimua autonomia e Kosovës në ish-Federatën jugosllave, duke e lënë atë si pjesë të Serbisë.

Parlamenti i Kosovës ishte i rrethuar me tanke dhe ushtri, dhe nën një shtetrrethim, Serbia dhunshëm ia mori Kosovës autonominë.

Nga 190 delegatët e pranishëm në Kuvend, 10 prej tyre, edhe pse nën presionin e shtetrrethimit të hekurt, kishin votuar kundër këtij suprimimi, e në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës.

Para 23 marsit 1989, muaji shkurt i të njëjtit vit do të karakterizohej me grevën e minatorëve të gjigantit Trepça, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës, shkruan KP.

Në demonstratat kundër suprimimit të autonomisë dhe me kërkesa për krijimin e Republikës së Kosovës, ranë rreth 30 dëshmorë, qindra u plagosën dhe qindra të tjerë u arrestuan dhe u dënuan me burg.

E tërë fushata kundër Kosovës kishte filluar nga serbët në Fushë Kosovë, më 1987, e cila njihet edhe si lëvizja serbe antishqiptare, ku edhe fillon ardhja në pushtet e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.

/Shqip.com