Lajme

Elianë Blakaj, shkarkohet nga pozita e drejtoreshës për Kulturë në Istog

Elianë Blakaj, ka njoftuar të hënën se është shkarkuar nga pozita e drejtoreshës për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Istogut.

Blakaj, përmes një postimi në Facebook, thotë se shkarkimi i saj ka ndodhur në mënyrë ‘tinëzare’ dhe ‘tradhtare’.

“Arsyet e shkarkimit janë absurde dhe i takojnë stilit të një injoranti ’’mos bindja ndaj urdhërave të shefit’’. Shkarkimi ndodhi në mënyrë tinzare dhe tradhëtare. Nuk ndodhi për shkak të mos kryerjes së detyrave të punës, por ndodhi për shkak se nënkryetari kishte dëshirë të ushtronte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë të cilën e menaxhoja dhe ky fakt tregon paaftësinë e tij për kryerjen e detyrave të cilat është i ngarkuar brenda Komunës”, ka shkruar Blakaj.

Tutje, ajo tha se pa prezencën e saj, në mbledhje të kryesisë është diskutuar puna e saj në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, “në mënyrë që gënjeshtra të triumfoi mbi të vërtetën”.

“Sipas asaj që më është thënë: është vendos që Kryetari i degës të vendos për ‘’fatin tim’’ për të realizuar përpjekjen e tij një vjeçare për shkarkimin tim duke arritur në mënyrë autoritare qëllimin e tij, me këtë rast një gjë të tillë ia mundësuan edhe një pjesë e kryesisë së degës – kryesisht njerëz të besueshëm dhe servil të tij”, ka shkruar tutje ajo.

Ndërsa, Blakaj ka njoftuar se nuk ka marrë asnjë letër arsyetimesh për shkarkim, “përveç Vendimit i cili ka ardhur në Zyren time, i nënshkruar nga Kryetari i Komunës, i cili mendoj që nuk është dashur ta lejoj këtë tradhëti, por tek e fundit ai ka menduar politikisht”.

/Shqip.com