Ekonomi

300 milionë importoi e më pak se 2 milionë euro eksportoi Kosova me Serbinë gjatë 2021-ës

300 milionë është shifra e mallrave që Kosova ka importuar nga Serbia gjatë vitit të kaluar, ndërsa ka eksportuar në këtë shtet fqinj më pak se 2 milionë euro.

Importi prej Serbisë është rritur krahasuar me vitin 2020, kur vlera e mallrave të importuara ishte 174 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se nga Serbia dominojnë dy industri kryesore të cilat eksportohen drejt Kosovës, industria ushqimore, si dhe ajo e materialit ndërtimor.

Adriatik Stavileci

“Në vitin 2021, kemi pasur vetëm rreth 2 milionë euro eksporte drejt Serbisë. Krahasimi me periudhën kur ka pasur reciprocitet ose kur ka bllokadë ose zero import prej Serbisë, normal që është trend rritës”, ka theksuar Stavileci për KP.

Mes tjerash, ai ka treguar se cili shtet prinë me produktet e eksportuara drejt Kosovës.

“Vendi kryesor i cili prinë me produktet e saj në Kosovë është Gjermania, janë vendet kryesisht të Unionit Evropian, Gjermania, Italia, Turqia, Kina. Edhe Serbia, por ky shtet është më poshtë, Shqipëria është mbi Serbinë”, thotë ai.

Sipas zëdhënësit të Doganës, tri produktet kryesore të importuara në vend mbesin nafta, cigaret dhe automjetet.

Ndryshe, për herë të parë, Kosova gjatë vitit 2021 ka shënuar rritje të eksportit të mallrave në vlerë totale 62 për qind./SHQIP.com