Lajme

3 vite nga tërmeti në Durrës, rreth 2900 familje janë ende pa shtëpi

Në përvjetorin e tretë të fatkeqësisë natyrore, që i mori jetën 51 viktimave dhe shkaktoi miliona euro dëme, Durrësi vazhdon t’i ketë ende të hapura plagët e tërmetit.

Vitet që pasuan 50 sekondat e tmerrit, kanë qenë më të vështirat për të prekurit.

“Kemi kaluar peripeci nga më të ndryshmet. Kemi pasur probleme për të gjetur shtëpi me qira. Problem ishin edhe hyrjet këtu se kishim frikë mos na i vidhnin. Ka qenë tension nga të gjitha anët. 3 vjet na janë dukur si 30 vjet”, u shpreh një qytetar.

2900 familje ende nuk kanë shtëpi dhe trajtohen me ‘bonus’ qiraje, shkruan Euronews.al.

“Vetëm me qira dhe problemi më i keq është se i japin një herë në 3-4 muaj, ai tjetri do lekët. Herë janë dhënë e herë jo. Jo gjithmonë bonusi është dhënë kur duhet, e madje ka raste edhe që nuk janë dhënë fare”, shprehen disa qytetarë.

Edhe pse që tri vjet, rindërtimi në Durrës ka qenë kryefjala e pushtetit qendror dhe atij lokal, shifrat tregojnë se përfundimi i këtij procesi është ende larg.

/Shqip.com