Lajme

3 të arrestuar për trafikim e detyrim në prostitucion, intervistohet vajza e trafikuar

Ilustrim.

Tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë të enjten e 14 tetorit nën dyshimin se të njëjtit kanë trafikuar njerëz dhe i kanë detyruar viktimat të kryejnë shërbime seksuale, njofton Shqip.com.

Kështu është bërë e ditur në një komunikatë për media të lëshuar nga policia ku thuhet se arrestimi i tyre erdhi pas një hetimi intensiv disa-mujorë nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Trafikimi me njerëz”, “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” si dhe ,”Mundësimi ose detyrimi në prostitucion”.

PK-ja ka njoftuar se është identifikuar edhe viktima e trafikimit (vajzë) e cila është intervistuar në prezencën e punëtorit të Qendrës për Punë Sociale (QPS-së), si dhe mbrojtësit të viktimave dhe të njëjtës i janë ofruar të gjitha shërbimet sipas proceduarve.

“Me vendim të Prokurorit të Shtetit tre (3) të dyshuarit janë ndaluar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, për proceduar të mëtejme, përderisa hetime të tjera lidhur me rastin janë në process”, thuhet në njoftimin e policisë.

“Policia e Kosovës me autoritete kompetente mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e dukurive negative në vend dhe veprave penale që përcakton kodi penal në përgjithësi, përderisa masa rigoroze do të ndërmerren ndaj të gjithë personave që bien në kundërshtim me ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë. /Shqip.com